Hasani: Pa vendim të Kushtetueses s’ka zgjidhje – Kryetarët e partive moti do ta kishin kryer punën po të kishin mend
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka komentuar zhvillimet rreth vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës duke thënë se nuk pret ndryshim në situatë përderisa nuk ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese.
Në një prononcim para fillimit të seancës së sotme, Hasani kritikoi udhëheqësit politikë për mungesën e marrëveshjes duke theksuar se zgjidhja është e mundur nëse do të kishte vullnet dhe përgjegjësi politike.
“Mendoj që është e njëjta gjë, pa ardhë një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk besoj që do të ketë ndonjë ndryshim. Me i pas mendtë në kokë kryetarët e partive, moti e kishin kryer këtë punë,” u shpreh Hasani.
Ai theksoi se procesi i zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ishte përmbyllur tashmë, por mungesa e konsensusit po e zvarrit funksionalizimin e legjislaturës së re.
Hasani foli edhe për raportet me liderin e LVV-së, Albin Kurti duke theksuar se ata nuk janë armiq, por kolegë në Kuvend, me një histori të përbashkët nga e kaluara. /Kosova.info/
