Avokate dhe përmbarues privat dyshohen për korrupsion: 25 mijë euro përfitim i kundërligjshëm, nisin procedurat penale

Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion ka bërë të ditur se pas një hetimi të gjatë dhe të suksesshëm ka ngritur dyshime të bazuara për përfshirjen e dy personave në veprime penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, e dyshuara Sh.Sh, në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i Ndikimit”, sipas nenit 424 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ajo dyshohet se ka ndërmarrë veprime për të ndikuar në mënyrë të paligjshme për përfitime personale dhe për palë të tjera.

Ndërkohë, i dyshuari I.I., në cilësinë e përmbaruesit privat, akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos i përmbushur detyrat që i janë besuar me ligj. Ai dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas hetimeve, të dy të pandehurit, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë, kanë realizuar përfitim të kundërligjshëm pasuror në vlerë prej 25,000 euro duke i shkaktuar dëme materiale palës së dëmtuar.

Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë integritetin e shërbimit publik dhe ka bërë të ditur se procedurat penale ndaj të dyshuarve janë në vijim. /Kosova.info/

Go to TOP