Andin Hoti reagon ndaj raportimeve për gërmimet në Dubravë: Jo panik, por rezultate të verifikuara
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së raportimit në disa media lidhur me gërmimet e fundit në Burgun e Dubravës. Ai i ka cilësuar këto raportime si të papranueshme dhe thellësisht shqetësuese, jo për shkak të përmbajtjes, por për trajtimin publik të ndjeshëm që po u bëhet këtyre rasteve.
“Nuk kemi nevojë për glorifikim mediatik, kemi nevojë për rezultate konkrete”, theksoi Hoti duke shtuar se familjet e të zhdukurve nuk duhet të tronditen nga tituj sensacionalistë, por të informohen vetëm kur ka të dhëna të verifikuara.
Ai rikujtoi se Kosova ka ndërmarrë mbi 2,800 gërmime ndër vite dhe se ky proces është i ndjeshëm dhe i dhimbshëm, andaj nuk duhet të krijohet ankth e pritshmëri para përfundimit të gërmimeve. “Gërmimi i një lokacioni nuk është lajm – gjetja është”, tha Hoti.
Në reagimin e tij, Hoti kërkoi nga mediat të shmangin publikimet e parakohshme që cenojnë dinjitetin e familjeve dhe integritetin e procesit. Ai i bëri thirrje institucioneve, qytetarëve dhe mediave që të presin informatat zyrtare nga Komisioni dhe të ndalin përhapjen e panikut.
Sipas një deklarate të dhënë sot nga Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, lokacioni në Dubravë është i dhjeti që trajtohet këtë vit për gërmim vlerësues. Hoti përfundoi duke theksuar se vetëm përmes kanaleve zyrtare do të ofrohen informata të sakta dhe të verifikuara, për të ruajtur besimin dhe dinjitetin e çështjes së personave të zhdukur. /Kosova.info/
