Policia njofton për protestën e OEK-ut më 29 maj: Paralajmërohet bllokim i pjesshëm i rrugëve hyrëse në Prishtinë
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik për një protestë të paralajmëruar që do të mbahet të enjten, më 29 maj 2025, nga ora 10:00 deri në 12:00, e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) me pjesëmarrjen e bizneseve të ndryshme.
Protesta është paralajmëruar të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore, përmes qëndrimit statik të automjeteve të rënda, që do të sjellë bllokim të pjesshëm të disa prej rrugëve kryesore hyrëse për në kryeqytet.
Sipas Policisë, protestuesit do të vendosen në këto katër pika strategjike:
Veterniku – hyrja nga pjesa lindore e qytetit,
Rrethi te Kazerma – drejtimi nga Fushë Kosova,
Rrethi i Arbërisë – drejtimi nga Mitrovica,
Vranjevci – Sharbanët – drejtimi nga Podujeva.
Policia e Kosovës do të jetë e pranishme në terren për të mbikëqyrur protestën, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe për të menaxhuar orientimin e trafikut në rrugë alternative.
Në njoftim theksohet se protesta është paralajmëruar në një periudhë të shkurtër kohore, ndërsa me organizatorin është zhvilluar një takim koordinues, ku janë bërë të ditura obligimet ligjore dhe kufizimet që ndalojnë bllokimin total të rrugëve.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë mirëkuptim për vonesat e mundshme dhe të shmangin këto rrugë gjatë kohës së protestës. Po ashtu, kërkohet nga qytetarët që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë në zhvillimin pa incident të protestës. /Kosova.info/
