Vdekje e dyshimtë në Zubin Potok, viktima gjendet i varur në ballkon
Një rast i vdekjes së dyshimtë është raportuar sot në fshatin Varagë e Poshtme, komuna e Zubin Potokut, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Në njoftim thuhet se rreth orës 13:25, stafi mjekësor nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Zubin Potok ka njoftuar Policinë për një person që dyshohej se ishte pa shenja jete.
Menjëherë pas njoftimit, njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e pajetë të viktimës B.R., 55 vjeç, i cili ishte gjetur i varur me litar në ballkonin e shtëpisë së tij. Mjekët kanë konstatuar vdekjen në vendngjarje.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të trajtohet si “Vdekje e dyshimtë”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkaktarëve të saktë të vdekjes.
Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim.
