Çetta: Ka filluar vetëdijesimi i qytetarëve për ruajtjen e mjediseve
Donika Çetta, drejtoreshë e Hapësirave Publike dhe e Parqeve në Prishtinë, theksoi se kohën e fundit ka filluar një vetëdijesim i mbarë i qytetarëve për krijimin dhe ruajtjen e hapësirave të gjelbra. Por, sipas saj, ende sfidë mbetet mbrojtja e parqeve që janë shumë të rëndësishme për shëndetin.
Ajo në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se “Prishtina ka blloqe të mëdha, njëkohësisht ka pasur hapësira të mëdha të gjelbëruara të planifikuara paraprakisht, por pas periudhës së luftës ka qenë një migrim shumë i madh i banorëve në kryeqytet dhe nevoja për të banuar në kryeqytet ka krijuar zhvillimin e hovshëm të lagjeve të reja, krijimin e ndërtesave pothuajse pa plan dhe zvogëlimin e këtyre hapësirave të gjelbra”.
“Tash jemi duke u munduar të krijojmë sadopak hapësira të vogla që qytetarët ta ndiejnë praninë e natyrës apo mjedisit në lagjet e tyre”, tha ajo.
Ajo bëri me dije se strategji e Komunës së Prishtinës është edhe bashkëpunimi me qytetarë për të krijuar hapësira të gjelbra.
“Ne si komunë jemi munduar që gjatë tërë vitit të krijojmë parqe dhe ta mbrojmë diversitetin, të mbjellim drurë në hapësira të gjelbra, edhe të organizojmë panele të diskutimit me fëmijë dhe organizata joqeveritare për të krijuar hapësira më cilësore dhe adekuate për qytetarët”, shtoi ajo.
