Konfindustria paralajmëron për katastrofë infrastrukturore në aksin Tiranë-Durrës: Rruga jashtë çdo standardi në prag të sezonit turistik
Konfindustria ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë të infrastrukturës rrugore në aksin më të rëndësishëm të vendit, Tiranë-Durrës, në prag të sezonit turistik veror 2025. Në një deklaratë publike, Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, e cilëson situatën si tejet të rrezikshme për jetën e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve, veçanërisht në segmentet që përfshijnë edhe rrugën dytësore në Zonën Industriale të Tiranës.
Pavarësisht dhjetëra milionë eurove të shpenzuara ndër vite nga buxheti i shtetit dhe projektit të Bankës Botërore me vlerë 50 milionë euro për periudhën 2020–2025, rruga Tiranë-Durrës vazhdon të jetë jashtë çdo standardi minimal të sigurisë dhe funksionalitetit. Konfindustria shpreh shqetësimin se këto investime janë shoqëruar me dyshime të forta për korrupsion të përsëritur institucional.
“Gjendja aktuale e aksit rrugor më të ngarkuar të Shqipërisë është jo vetëm një pengesë për lëvizjen e lirë dhe zhvillimin ekonomik, por përbën edhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e përdoruesve të saj,” thuhet në deklaratë.
Sipas Konfindustrisë, përveç kostove të mëdha ekonomike që u shkaktohen qytetarëve dhe bizneseve në formën e dëmtimeve të mjeteve dhe kohës së humbur, rruga është gjithashtu burim i aksidenteve të shumta, shpeshherë me pasoja fatale.
Konfindustria kërkon masa të menjëhershme dhe hetim të thelluar për përdorimin e fondeve publike dhe ndërkombëtare në këtë projekt jetik për vendin duke e konsideruar çështjen një emergjencë kombëtare në funksion të turizmit, ekonomisë dhe jetës së qytetarëve shqiptarë. /Kosova.info/
