Barça Academy Camp rikthehet në Prishtinë – Rama: Më shumë se futboll, një përvojë e paharrueshme për fëmijët tanë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka hapur zyrtarisht edicionin e radhës të Barça Academy Camp në kryeqytet duke e cilësuar këtë ngjarje si një përvojë të jashtëzakonshme që sjell më shumë se thjesht futboll.

“Me shumë gëzim e krenari hapëm zyrtarisht edicionin e radhës të Barça Academy Camp në Kryeqytet! Një ngjarje që sjell filozofinë, vlerat dhe metodologjinë e njërit prej klubeve më të mëdha në botë: FC Barcelona,” deklaroi Rama.

Ky kamp, i cili zgjat pesë ditë, ofron stërvitje intensive për fëmijët nën drejtimin e trajnerëve të licencuar nga Barça. Përveç aftësive teknike dhe taktike, fëmijët mësojnë edhe vlera të rëndësishme si respekti, përkushtimi dhe puna në ekip.

Rama shprehu falënderime për Barça Academy, partnerët dhe prindërit që i besuan fëmijët e tyre këtij projekti. Ai uroi suksese të gjithë pjesëmarrësve duke theksuar se ky mund të jetë fillimi i një ëndrre të madhe për ta.

“Jetoni çdo moment me pasion dhe ëndrra juaj mund të fillojë pikërisht këtu!”, ishte mesazhi përmbyllës i kryetarit. /Kosova.info/

Go to TOP