Neurologët nga rajoni dhe Evropa mblidhen në Prishtinë për Konferencën Pranverore: Fokus te Miastenia Gravis dhe Skleroza Multiple
Shoqata e Neurologëve të Kosovës në bashkëpunim me Klinikën e Neurologjisë ka hapur Konferencën tradicionale pranverore dyditore, e cila këtë vit fokusohet në Miasteninë Gravis (MG) dhe Sklerozën Multiple (MS) – dy prej sëmundjeve më sfiduese neurologjike në praktikën klinike.
Ngjarja po zhvillohet me pjesëmarrjen e profesionistëve të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë nga Turqia, Spanja, Sllovenia, Kroacia, Gjermania, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Mali i Zi. Gjatë dy ditëve të konferencës do të trajtohen zhvillimet më të fundit në diagnostikim, menaxhim dhe terapi, me qëllim përmirësimin e trajtimit të pacientëve dhe shkëmbimin e përvojave mes profesionistëve.
Konferencën e hapi Prof. Afrim Blyta, kryetar i Shoqatës së Neurologëve të Kosovës, i cili theksoi rëndësinë që ka ky takim tashmë tradicional për avancimin profesional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. “Këto konferenca janë bërë pjesë e përhershme e kalendarit tonë profesional, ku çdo dy apo tre muaj ndajmë përvoja me kolegë nga rajoni dhe më gjerë, për të forcuar kapacitetet në funksion të pacientit”, tha ai.
Në kuadër të konferencës, po ashtu po mbahen edhe simpoziume satelitore të organizuara nga kompani farmaceutike ndërkombëtare, ku po prezantohen risitë më të fundit në terapitë neurologjike duke adresuar sfidat e trajtimit bashkëkohor në praktikën mjekësore.
Konferenca po vlerësohet si një platformë e rëndësishme për përmirësimin e qasjes diagnostike dhe terapeutike ndaj sëmundjeve neurologjike në Kosovë dhe më gjerë. /Kosova.info/
