Lipjani nënshkruan kontrata me fermerët për subvencionimin e çdo litri qumështi
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka mirëpritur sot fermerët lokalë për të nënshkruar kontratat e subvencionimit për çdo litër qumështi, një formë direkte e mbështetjes për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm në sektorin e blegtorisë.
Ky është viti i dytë radhazi që Komuna e Lipjanit mbështet blegtorët përmes këtij programi, i cili tashmë ka dhënë rezultate pozitive. Sipas Ahmetit, është rritur si numri i fermerëve që angazhohen në prodhimin e qumështit, ashtu edhe sasia e qumështit të prodhuar duke reflektuar një zhvillim të qëndrueshëm në këtë sektor jetik rural.
Ahmeti theksoi se përveç subvencioneve për qumësht, komuna do të vazhdojë të buxhetojë dhe mbështesë edhe kategori të tjera të bujqësisë dhe blegtorisë duke e konsideruar zhvillimin rural si një nga shtyllat kryesore të mirëqenies dhe rritjes ekonomike lokale.
Gjatë takimit, u diskutua gjithashtu për sfidat e përditshme me të cilat përballen fermerët dhe u identifikuan mundësitë për mbështetje shtesë me pajisje dhe mjete ndihmëse që do të lehtësojnë punën e tyre.
Ahmeti konfirmoi përkushtimin e komunës për të qëndruar pranë blegtorëve dhe fermerëve duke i ndihmuar ata të rrisin kapacitetet prodhuese dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të Lipjanit. /Kosova.info/
