PSG fiton Kupën e Francës për herë të gjashtëmbëdhjetë
Paris Saint-Germain ka triumfuar për herë të gjashtëmbëdhjetë në historinë e klubit në Kupën e Francës, duke mposhtur pa shumë vështirësi Stade de Reims me rezultat 3-0 në finalen e zhvilluar në “Stade de France”.
Ky është trofeu i tretë sezonal për ekipin parisien, që tani, në pritje të finales së Champions League ndaj Inter më 31 maj, ndodhet vetëm një fitore larg trofeut të katërt.
Finalja nisi me një rast për Reims, kur portieri i PSG-së, Matvey Safonov, është detyruar të ndërhyjë pas një goditje nga distanca të Amadou Kone. Por kjo ishte gjithçka që Reims ka arritur të ofrojë në pjesën e parë, pasi më pas ka nisur dominimi absolut i parisienëve.
Bradley Barcola e ka zhbllokuar rezultatin pas një asistimi nga Desire Doue, duke gjetur këndin e poshtëm të portës. Vetëm tri minuta më vonë, e njëjta dyshe ka kombinuar sërish, me Barcola që ka shënuar golin e dytë pas një pasimi të saktë nga Doue.
Në një moment kur Reims dukej plotësisht i çorientuar, PSG ka shtuar epërsinë. Në fund të pjesës së parë, pas disa tentativave të rrezikshme nga Dembele dhe Hakimi, ka qenë sërish Barcola ai që ka dhuruar një një tjetër asistim, këtë herë për Achraf Hakimin, i cili me një goditje të saktë e ka vendosur rezultatin përfundimtar 3-0.
Në pjesën e dytë, Barcola e ka provuar ta kompletojë tregolëshin, por portieri Diouf ka qenë në vendin e duhur. Dembele është ndalur nga shtylla dy herë brenda pak minutash, por PSG edhe pse me dominim të pakontestueshëm, më nuk e ka rritur epërsinë.
Kjo ishte fitorja e dymbëdhjetë radhazi për PSG-në në këtë kompeticion, derisa Reims do të përpiqet të rikuperohet shpejt, pasi e pret ndeshja vendimtare e kthimit në “Play-off” për mbijetesë ndaj Metz, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë.
