Amorim thotë se trofeu i Europa League s`do ta arsyetonte sezonin e dobët
Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka deklaruar se finalja e Europa League ndaj Tottenham Hotspur nuk do të mjaftonte për ta shpëtuar sezonin e dobët që ka zhvilluar skuadra.
Manchester United ndodhet në vendin e gjashtëmbëdhjetë në tabelën e Premier League dhe përballja e së mërkurës në Bilbao përbën shansin e vetëm për t’u kualifikuar në Champions League për sezonin e ardhshëm.
“Ta fitosh një trofe evropian do të ishte shumë e rëndësishme. Ndoshta njerëzit do të na shikojnë ndryshe pas kësaj. Do të na ndihmonte të mbyllim sezonin me një ndjenjë pozitive”, ka deklaruar Amorim në konferencë për shtyp.
Megjithatë, trajneri portugez e ka pranuar se suksesi në finalen e Europa League nuk do të mjaftonte për ta kompensuar një sezon ku skuadra ka zhgënjyer.
“Por, sado e rëndësishme të jetë, nuk do ta ndryshojë sezonin tonë. Lojtarët e dinë, stafi e di, tifozët e dinë, pra të gjithë e dinë”, ka thënë ai.
Amorim ka theksuar se Manchester United duhet të shohë përtej një fitore të vetme dhe të angazhohet në ristrukturim të thellë.
“Fitimi i një trofeu evropian mund të na japë ndjesinë që kemi nevojë për të ndërtuar diçka në të ardhmen, por kjo është e gjitha. Nuk besoj se po luajmë për më shumë sesa për titullin vetë,” ka shtuar ai.
Portugezi gjithashtu ka nënvizuar se klubi është në gjendje të mbijetojë edhe pa pjesëmarrje në Champions League, falë markës së fuqishme ndërkombëtare dhe mbështetjes nga tifozët në të gjithë botën.
“Manchester United mund të mbijetojë financiarisht edhe pa qenë në Champions League. Jemi një markë e madhe ndërkombëtare. Duhet të përqendrohemi te projekti dhe të bëjmë gjërat siç duhet”, ka thënë ai.
Amorim është shprehur se, ndonëse skuadra është e përqendruar te finalja, pas saj do të vijë momenti për analiza dhe vendime të mëdha.
“Është e vështirë të flasësh për gjithçka që duhet ndryshuar, sepse tani duhet të jemi të përqendruar dhe entuziastë për finalen. Por ne i dimë problemet që kemi”, ka thënë ai, “Ka shumë gjëra që duhen ndryshuar në klub: nuk është vetëm një aspekt i vetëm. Këto nuk zgjidhen me një trofe. E përsëris: kemi çështje më të mëdha për të zgjidhur për ta rikthyer këtë klub në majë”.
