Maguire kritik për sezonin zhgënjyes të United

Mbrojtësi i Manchester United, Harry Maguire, ka folur “pa dorëza” para finales së Europa League, duke e cilësuar sezonin aktual të “Djajve të Kuq” si të papranueshëm për një klub me histori.

United përballet me Tottenham Hotspur të mërkurën në Bilbao, në finalen e madhe të këtij kompeticioni evropian, ku synon ta fitojë trofeun e parë nën drejtimin e trajnerit Ruben Amorim. Pavarësisht arritjes në finalen e Europa League, sezoni në Premier League ka qenë ndër më të dobëtit në dekada për klubin nga “Old Trafford”, i cili aktualisht mban vendin e gjashtëmbëdhjetë dhe rrezikon ta mbyllë kampionatin me renditjen më të keqe që nga rënia nga elita në sezonin 1973/74.

“Si lojtarë, ne duhet të marrim përgjegjësi për vendin në të cilin ndodhemi dhe për të ardhurat që kemi gjeneruar këtë sezon nga ajo renditje, që nuk është askund afër të qenit e mjaftueshme”, ka deklaruar Maguire. “Nuk duhet të ishte kështu. Para dy muajsh, duhej të ishim në një pozitë shumë më të mirë, duke luftuar për pjesëmarrje në Europa League apo në Champions League”.

Aktualisht, United është njëzet e shtatë pikë larg pesë pozicioneve të para në Premier League, që sigurojnë një vend në sezonin e ardhshëm të Champions League. Megjithatë, fitorja në Europa League do t’i hapte dyert për rikthimin në elitën evropiane. Ky sukses do të ishte lehtësim për Amorimin, i cili në sezonin debutues si trajner në Angli është përballur me kritika dhe mungesë vazhdimësie në kampionat. Sidoqoftë, mbështetja e tifozëve ka qenë e qëndrueshme.

“I kemi zhgënjyer shumë këtë vit. U kemi dhënë disa momente të mira në Europa League dhe kujtime si fitorja në derbin ndaj Manchester Cityt në ‘Etihad’, por në përgjithësi kemi dështuar. Edhe vetë jam befasuar nga besnikëria e tyre. Janë tifozë të jashtëzakonshëm dhe e kanë treguar këtë me mbështetjen e tyre gjatë gjithë sezonit”, ka thënë Maguire.

Ai ka shtuar se finalja në Bilbao është një mundësi e artë për t’u shpërblyer të gjithë atyre që kanë qëndruar pranë ekipit.

“Ne besojmë në vete. Duhet të japim gjithçka, të jemi të përgatitur dhe ta përmbushim misionin në ditën e finales”, është shprehur ai. 

Për Maguire, kjo finale ka edhe një dimension personal. Ai e kishte humbur finalen e Europa League 2021 kundër Villarreal për shkak të një lëndimi dhe ndjen se tani është koha për të përmbushur atë që i ka munguar.

“Ishte shumë e dhimbshme për mua. Isha kapiten i ekipit në atë kohë dhe ndihesha pjesë e pandashme e skuadrës. Ndoshta gjithçka do të kishte qenë ndryshe po të isha në fushë. Kësaj radhe dua ta përfundoj punën”, ka thënë ai.  

Go to TOP