Termokos i dhuron kamionetë Ndërmarrjes “Gjelbër” për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra në Prishtinë
Në kuadër të përforcimit të bashkëpunimit ndërmjet ndërmarrjeve publike, sot është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Termokos dhe Ndërmarrjes “Gjelbër” sh.a., përmes të cilit i është dhënë në shfrytëzim një kamionetë Ndërmarrjes “Gjelbër”, për qëllime të mirëmbajtjes së hapësirave të gjelbra në Kryeqytet.
Memorandumi u nënshkrua nga Kryeshefja Ekzekutive e Ndërmarrjes “Gjelbër”, znj. Nora Cimili Gagica, dhe përfaqësuesit e Termokos-it. Kjo pajisje do të ndihmojë në përmirësimin e kapaciteteve operative të Ndërmarrjes “Gjelbër” dhe do të kontribuojë në ofrimin e shërbimeve më efikase dhe më të qëndrueshme për qytetarët e Prishtinës.
“Ky bashkëpunim dëshmon rëndësinë e sinergjisë ndërmarrjeve publike në funksion të një Prishtine më të pastër dhe më të gjelbër. Termokos po i jep kuptim konkret vizionit për një Kryeqytet të qëndrueshëm,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky veprim përbën një hap tjetër drejt përforcimit të përkujdesjes ndaj mjedisit dhe nxitjes së përgjegjësisë institucionale për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta. /Kosova.info/
