Rama pret kampionët e “Prishtina e Re”: Krenari e Kryeqytetit që po i jep sportit një identitet të ri
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mirëpritur në Odën e Kryeqytetit ekipin kampion të “Prishtina e Re”, të cilët këtë sezon arritën një sukses historik duke u ngjitur në Super Ligën e Kosovës në futboll.
Në një atmosferë festive, ekipi solli me vete trofeun e kampionit, simbolin e përkushtimit, disiplinës dhe shpirtit garues që e ka karakterizuar rrugëtimin e tyre të jashtëzakonshëm.
“Ky takim është më shumë se një urim. Është një vlerësim për punën dhe mundin që ky ekip ka bërë për ta ngritur sportin e Kryeqytetit në një nivel të ri. Jam krenar për këtë skuadër që po i jep sportit një identitet të ri – të rinisë, të besimit dhe të sakrificës,” tha Rama gjatë pritjes.
Ai uroi ekipin për suksesin dhe shprehu mbështetje të plotë për rrugëtimin e tyre të mëtejmë në elitën e futbollit kosovar. Kryetari theksoi se sporti është një forcë bashkuese dhe inspiruese për të gjithë qytetin, dhe se “Prishtina e Re” është shembulli më i mirë i kësaj energjie pozitive. /Kosova.info/
