Rama: Nuk do të lejojmë që keqmenaxhimi në “Pastrimi” të rrezikojë shëndetin publik dhe pagat e punëtorëve

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”, në një kohë kur kjo kompani përballet me krizë të thellë menaxheriale dhe shqetësime serioze për pagat dhe mirëqenien e punëtorëve.

Rama i falënderoi punëtorët për qasjen e tyre të matur dhe përgjegjëse duke theksuar se bashkëpunimi i tyre është thelbësor për tejkalimin e kësaj situate të vështirë.

“Ne jemi në anën tuaj. Të drejtat e punëtorëve nuk janë të negociueshme dhe askush nuk do të mbetet pa punë për shkak të dështimeve të menaxhmentit. Jemi të vendosur të mbrojmë interesin publik dhe dinjitetin e secilit punëtor,” deklaroi Rama.

Ai nënvizoi se shëndeti publik dhe funksionimi i shërbimeve bazike nuk mund të rrezikohen nga paaftësia apo keqmenaxhimi.

“Qyteti nuk mund të vuajë pasojat e papërgjegjshmërisë. Do të veprojmë me vendosmëri për ta rikthyer funksionalitetin dhe për të siguruar që çdo punëtor të marrë pagën e merituar në kohë,” shtoi ai.

Ky reagim vjen pas paralajmërimeve për ndërprerje të shërbimeve dhe pakënaqësive të punëtorëve për mosrealizimin e obligimeve kontraktuale. Kryetari Rama është zotuar se komuna do të ndërhyjë për të garantuar stabilitet dhe transparencë në menaxhimin e ndërmarrjes. /Kosova.info/

Go to TOP