Rreth 400 mijë euro pritet të investohen në rrugët e Mamushës

Komuna e Mamushës njihet si më e reja dhe më e vogla në Kosovë, ndërsa ka ende shumë nevojë për investime në infrastrukturë.

“Mirë është nuk është dobët, duhet disa ndryshime nga kocka rruga me u ba asfalt, tjerat mirë janë mirë”, tha Naim Krasniqi, banor i Nëpërbishtit.

“Me investu duhet, ka diçka por sa duhet nuk është”, tha Nexhat Morina, banor i Mamushës.

“Komuna vetë nuk mundet, sepse komuna është e vogël, ama qeveria me përkrah edhe komuna pak mund me u ba diçka, sepse vetëm komuna nuk mund ta mbulon”, tha Florim Zogaj- banor i Mamushës.

“Duhet shumë, akoma shumë sepse tash qytet jemi e qyteti duhet me qenë më i zhvilluar”, tha një tjetër banor.

Kryetari i komunës së Mamushës, Abdyladi Krasniqi thotë se për 17 vjet kanë arritur 60 deri në 70% të asfaltimit të rrugëve, por me kanalizimin jo.

“Gjendja e infrastrukturës në Mamushë, nëse themi mbi tokë edhe nën tokë ka nevojë ende me ba në këtë komunë. Shumica e komunave në Kosovë sa e di e kanë përfunduar problemin e infrastrukturës e ne në Mamushë kemi ende problemin e kanalizimit”, tha ai.

Komuna dhe Ministria e Infrastrukturës kanë arritur një marrëveshje pak ditë më parë, që në disa rrugë në Mamushë të investohen rreth 400 mijë euro.

“Janë do rrugë e do rrugica që janë për momentin me kubza, rreth 15 vjet janë ato kubza, ka nis dëmtimi i tyre, me kërkesën tonë dhe mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës, rrugët qendrore dhe rrugicat në komunën e Mamushës do të asfaltohen”, shtoi i pari i komunës.

Buxheti i Komunës së Mamushës në total është mbi 2.6 milionë euro, ndërsa vetëm 400 mijë prej tyre shkojnë në investime, shifër kjo shumë e vogël për të përmirësuar infrastrukturën, thotë kryetari Krasniqi.

Go to TOP