Ruzhdi Shehu rikandidon për kryetar të Junikut: Ky do të jetë mandati i fundit

Ruzhdi Shehu ka njoftuar zyrtarisht se do të rikandidojë për edhe një mandat si Kryetar i Komunës së Junikut, me mbështetjen e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë komunë. Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, Shehu theksoi se ky do të jetë kandidimi i tij i fundit për këtë post duke e konsideruar si një angazhim me nder dhe përgjegjësi të lartë.

“Shembulli i mbështetjes nga strukturat e partisë dhe përkrahja e përditshme nga qytetarët më japin forcë dhe vullnet për të vazhduar punën për Junikun. Por njëkohësisht, dua të bëj të ditur se ky do të jetë mandati im i fundit si Kryetar i Komunës”, deklaroi Shehu.

Ai vlerësoi të arriturat gjatë mandateve të mëparshme dhe theksoi se janë në plan edhe shumë projekte të reja që do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të Junikut në të gjitha drejtimet.

Sipas Shehut, LDK në Junik është më e konsoliduar se kurrë më parë dhe shprehu bindjen se do të dalin fitues në zgjedhjet e ardhshme pa pasur nevojë për balotazh. Ai falënderoi veçanërisht qytetarët dhe mërgatën junikase për përkrahjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët për të mirën e komunës.

“Me mirënjohje dhe përkushtim do ta përmbyll këtë kapitull në shërbim të Junikut, për ta lënë më të zhvilluar dhe më të përparuar,” përfundoi Shehu. /Kosova.info/


Go to TOP