Fermë model në Zhegër, investim i një bashkatdhetari nga Zvicra

Këllezi për emisionin ‘Toka’ në RTK thotë se mbarështimi i deleve nëse kryhet me vullnet, atëherë sipas tij, nuk është veprimtari e vështirë.

Ai po ashtu thotë se puna e parë të cilën e kryen herët në mëngjes është kontrollimi i deleve, dhe pas saj u jepet racioni i ushqimit që përbëhet prej drithërave.

“Pasi të marrin racionin e drithërave delet lëshohen në kullosë. Në këtë fermë aktualisht mbarështohen rreth 370 dele dhe qengja, kryesisht për rritje të qengjave. Ndonëse, procesi i pjelljes  vlerësohet si më i vështiri në këtë veprimtari , për mua nuk paraqet problem”, thotë Këllezi.

Sipas tij, edhe delet si të gjitha kafshët tjera rrezikohen nga sëmundjet, mirëpo falë ushqimit të mirë, dhe kontrolleve të rregullta nga mjeku veteriner, fatmirësisht deri më tash, se te delet dhe as te qengjat nuk kanë pasur ndonjë sëmundje.

Ai thotë se sa i përket numrit të qengjave për një pjellë të deleve është 2 apo 3 i qengjave.

Lidhur me pagën të cilën e merr për punën që e kryen, Këllezi shprehet i kënaqur.

Në anën tjetër derisa Këllezi merret me mbarështimin e deleve, në këtë fermë në Zhegër të Gjilanit,  për mbarështimin e lopëve,  kujdesej nipi i pronarit të fermës, Edon Elmazi.

Ai për emisionin ‘Toka’ në RTK thotë se kishte jetuar një dekadë në Francë dhe se tashmë është kthyer në Kosovë.

“Për momentin në këtë fermë krahas deleve, mbarështohen 20 lopë dhe po aq viça. Krahas tyre janë blerë edhe 60 lopë të tjera të cilat shpejt do të arrijnë në këtë fermë”, thotë Elmazi.

Llojin e lopëve Montbeliard, ai e vlerëson si më të mirën, pasi krahas sasisë më të lartë të qumështit si gjedhe, njëkohësisht sipas tij, janë edhe më të dëgjueshme.

“Sasia e qumështit që prodhohet në këtë fermë,  brenda ditës është 200 litra, krahas pjesës tjetër që shërben për t’i ushqyer viçat.   Çmimi i qumështit është i mirë e po ashtu edhe shitja është e sigurt.  Si veprimtari më e vështirë është gjatë sezonit të dimrit. Ushqimi që përdoret në stallë, i tëri sigurohet nga 40 hektarë tokë pronë e fermës që i mbjellim me misër dhe grurë. Derisa posedojmë edhe parcela tjera që i përdorim edhe për kullosën e lopëve”, shprehet Elmazi për emisionin “Toka”.

Ndërkohë, Bajram Isufi, drejtor i drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunë të Gjilanit, thotë se kjo drejtori përkrahë disa sektorë të Bujqësisë dhe blegtorisë në këtë komunë

“Jemi ndër komunat e vetme që subvencionojmë fermerët me farë gruri e misri dhe me pleh artificial. Sa i përket blegtorisë, kemi vlerësuar se fillimisht  ka qenë më me interes shtimi i numrit të lopëve qumështore, derisa këtë vit planifikojmë të subvencionojmë litrin e qumështit të prodhuar me nga  10 cent”, thotë Isufi për emisionin ‘Toka’ në RTK.

Ai thotë se fshati Zhegër, ka numër të lartë të banorëve që gjenden në mërgim dhe ky lokacion ka filluar të kthehet si vend me interes për investimet e bashkatdhetarëve në bujqësi, blegtori e shpezëtari.

“Fermerin në fjalë komuna e jonë e ka ndihmuar me kanalizim dhe ujësjellës dhe pritet së shpejti ta asfaltojmë një pjesë të rrugës”, thotë Isufi duke shtuar se në këtë vend problematikë është energjia  elektrike. 


Go to TOP