Abdixhiku: Propozojmë Qeveri Nacionale të Tranzicionit për të zhbllokuar krizën institucionale

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar përmes një mesazhi publik ndaj situatës së krijuar pas zgjedhjeve, ku vendi tashmë për herë të 15-të përballet me një seancë të pasuksesshme për krijimin e institucioneve të reja. Ai ka shprehur shqetësimin për mungesën e një zgjidhjeje konkrete duke theksuar se në horizont nuk shihet fundi i kësaj krize institucionale që po zgjat tashmë për më shumë se tre muaj.

Abdixhiku kritikoi rrjedhën monotone dhe pa rezultat të seancave parlamentare, ndërsa paralajmëroi për përkeqësimin e situatës së vërtetë jashtë institucioneve: rritje çmimesh, rritje faturash të energjisë dhe stagnim total i projekteve madhore zhvillimore.

“Partia e parë duhet të kuptojë se nuk ka shumicë – dhe në demokraci qeveriset me shumicë, jo me imponim. Po ashtu, duhet ta pranojmë të gjithë se askush sot nuk e ka shumicën,” u shpreh ai.

Si përgjigje ndaj kësaj krize, Abdixhiku theksoi se LDK-ja ka ofruar një propozim të vetëm e konkret: krijimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit, me mandat të kufizuar dhe agjendë të përbashkët, që do të udhëhiqte vendin deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Jo për ta ndarë shtetin mes partive, por për ta mbrojtur nga paraliza institucionale”, tha Abdixhiku duke shtuar se ky propozim nuk është ideal, por është i vetmi përgjegjës dhe shtetformues në këtë moment.

Kreu i LDK-së konfirmoi se kjo ide do të paraqitet edhe në takimin e ftuar nga Presidentja e Kosovës duke bërë thirrje që ky takim të mos jetë vetëm një përsëritje e dëshirave partiake pa mbështetje reale, por të shërbejë për gjetjen e një zgjidhjeje të re, funksionale dhe afatshkurtër për vendin. /Kosova.info/


Go to TOP