Barcelona triumfon në `El Clasico`, një hap larg titullit

Barcelona ka shënuar një fitore të madhe në “El Clasico-n” të dielën, duke e mposhtur Real Madrid me rezultat 5-3 dhe duke hedhur një hap të madh drejt titullit të La Liga.

Në një përballje dramatike, skuadra katalanase ka arritur përmbysjen pas disavantazhit të hershëm prej dy golash.

Real Madrid e ka nisur më mirë sfidën dhe ka kaluar në epërsi pas vetëm pesë minutash me golin nga penalltia të Kylian Mbappe, i cili ka përfituar nga një gabim i mbrojtësit të Barcelonës, Pau Cubarsi. Francezi ka realizuar edhe golin e dytë në minutën e katërmbëdhjetë, pas një asistimi të Vinicius Junior.

Por Barcelona nuk është dorëzuar. Eric García e ka ngushtuar rezultatin me një gol me kokë pas një goditje këndi, ndërsa Lamine Yamal e ka barazuar rezultatin me një goditje nga distanca. Përmbysjen e ka përfunduar Raphinha pas një gabimi të dyfishtë nga Mbappe dhe Ceballos. Braziliani ka shënuar edhe golin e katërt për Barcelonën pasi ia ka vjedhur topin Lucas Vazquez dhe ka realizuar nga afërsia.

Mbappe ka realizuar një gol po i cili është anuluar për pozitë jashtë loje para përfundimit të pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë e ka kompletuar tripletën, pas asistimit të Vinicius, duke rikthyer Real në lojë me rezultatin 4-3.

Megjithatë, përpjekjet e madrilenëve për të barazuar rezultuan të pamjaftueshme. Barcelona ka mbetur e rrezikshme deri në fund dhe ka shënuar edhe golin e pestë përmes Raphinha, për të vulosur fitoren më të rëndësishme të sezonit.

Me këtë triumf, Barcelona i ndal Real serinë prej katër fitoreve radhazi në kampionat dhe tani ka krijuar një avantazh prej shtatë pikësh në krye të tabelës. Me vetëm tri ndeshje të mbetura, katalanasve u nevojitet një fitore për ta siguruar matematikisht titullin dhe për ta kompletuar tripletën e trofeve këtë sezon: La Liga, Superkupa e Spanjës dhe Kupa e Mbretit.

Go to TOP