Protesta në Sllovaki, shkak vizita e Ficos në Moskë

Protestuesit u mblodhën të premten në kryeqytetin sllovak për të demonstruar kundër udhëtimit të fundit të kryeministrit populist, Robert Fico, në Rusi.

Fico ishte i vetmi udhëheqës i një vendi të Bashkimit Evropian që udhëtoi në Moskë për festimet që shënuan 80-vjetorin e mposhtjes së Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Duke brohoritur slogane si “Mjaft me Ficon”, “Sllovakia është Evropë” dhe “Qëndroni atje”, protestuesit mbushën Sheshin e Lirisë.

Organizatorët thanë se Fico “nuk përfaqëson të gjithë Sllovakinë”.

“Është turp për Sllovakinë” dhe “një nga momentet më të këqija për politikën e jashtme sllovake”, tha Mihal Shimeçka (Michal Šimečka), udhëheqësi i opozitës kryesore dhe partisë pro-perëndimore të Sllovakisë Progresive për udhëtimin e Ficos në Moskë.

Kremlini ka përdorur festimet vjetore të “Ditës së Fitores” për të mburrur aftësitë e tij në fushën e betejës. Të premten, presidenti Putin vlerësoi trupat ruse që luftojnë në Ukrainë, duke thënë se “jemi krenarë për guximin dhe vendosmërinë e tyre, forcën e tyre shpirtërore që na ka sjellë gjithmonë fitoren”. Në një mesazh video, Fico tha se qëllimi i tij ishte të krijonte një “bashkëpunim normal dhe miqësor” me Rusinë.


Go to TOP