Bajrami: Deputeti Murati flet për Kushtetutën, ndërsa vet e shkel atë me dy pozita

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetit dhe njëkohësisht ministrit Hekuran Murati duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe për mungesë të kuptimit të parimeve bazë të ndarjes së pushteteve.

Sipas Bajramit, Murati, i cili sot flet për përgjegjësi kushtetuese, ende nuk i ka kuptuar bazat e ligjshmërisë që rregullojnë funksionimin e Kuvendit. Ajo thekson se mbajtja e njëkohshme e pozitës së deputetit dhe ministrit bie ndesh me nenin 72 të Kushtetutës, që ndalon përfaqësuesit legjislativë të ushtrojnë funksione ekzekutive, për të ruajtur ndarjen e pushteteve.

“Deputeti Murati duhet ta dijë se deputeti nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues kur voton apo jo. Kështu e thotë Kushtetuta, neni 70, pika 1”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka theksuar se reagimi i saj është drejtuar qytetarëve të Kosovës, pasi, siç thotë ajo, është fyerje e inteligjencës dhe humbje kohe të debatohen çështje kushtetuese me persona që vetë i kanë shkelur ato me raste të shumta. Bajrami gjithashtu e ka akuzuar Muratin për shkelje të të drejtave të mbi 90 mijë shërbyesve civilë duke iu referuar vendimeve të tij si ministër. /Kosova.info/

Go to TOP