Rrjeti i Prindërve Edukues apelon për ndalimin e faljes së notave dhe rikthimin e cilësisë në arsim

Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës ka publikuar një apel publik drejtuar institucioneve arsimore, prindërve, mësimdhënësve, shoqërisë civile dhe mediave, për të ndalur praktikën e faljes së notave pa meritë dhe për të rikthyer vlerësimin real e të drejtë për nxënësit në shkollat e vendit.

Në këtë apel theksohet se falja e notave, ndonëse ndonjëherë arsyetohet si akt human, në të vërtetë po dëmton rëndë të ardhmen e fëmijëve, po cenon dinjitetin e profesionit të mësimdhënësit dhe po ul standardet në sistemin edukativo-arsimor.

“Po prodhojmë pasoja afatgjata për shoqërinë tonë. Kërkojmë me përkushtim ndaljen e presioneve për falje notash dhe rivendosjen e mekanizmave edukativë si përsëritja e vitit dhe riprovimet,” thuhet në komunikatë.

Rrjeti bën thirrje për angazhim të përgjithshëm institucional dhe shoqëror, me qëllim që të rikthehet cilësia dhe dinjiteti në sistemin arsimor të Kosovës. Ata ftojnë të gjitha palët që të trajtojnë këtë çështje me seriozitetin që meriton dhe të kontribuojnë në ngritjen e standardeve edukative në interes të brezave të ardhshëm.

Apeli i plotë është dërguar përmes emailit përfaqësuesve të mediave dhe shoqërisë civile, dhe pritet të nxjerrë në pah diskutime të gjera në opinionin publik dhe në institucionet përgjegjëse. /Kosova.info/


Go to TOP