Voziti veturën pa regjistrim, rekomandohet suspendimi i zyrtarit policor

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor në Suharekë. 

Sipas IPK-së, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative bazuar në të cilat dyshohej se një zyrtar policor i Stacionit Policor të Suharekës drejton veturën e tij private pa regjistrim.

“Pas pranimit të informacionit është verifikuar informacioni dhe zyrtari në fjalë është ndaluar sot në rrugë nga hetuesit e IPK-së ku pas kontrollit të dokumentacionit të veturës së tij ka rezultuar se ky automjet nuk është regjistruar që nga viti 2019”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se lidhur me rastin janë njoftuar Njësia e Trafikut Rajonal të Prizrenit të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, kurse IPK ka rekomanduar suspendimin për zyrtarin policor. /Kosova.info/


Go to TOP