Ndahet nga jeta Kaqusha Jashari – politikane dhe ish-hendbolliste e dalluar, FHK i shpreh ngushëllime
Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare Kaqusha Jashari, politikane dhe aktiviste e njohur, e cila ka lënë gjurmë të thella edhe në sportin e hendbollit në Kosovë.
Ajo nisi të merrej me hendboll që në shkollën fillore në qytetin e saj të lindjes, Gjilan. Nga viti 1961 deri në vitin 1967, ishte pjesë e klubit Kosova e Prishtinës, atëherë ndër më të suksesshmit në vend. Gjatë periudhës së studimeve të saj në Beograd, ajo luajti për klubin e njohur Partizani, ndërsa më pas u rikthye sërish te Kosova.
Kontributi i saj në sport nuk u ndal vetëm te aktivizimi si lojtare – ajo përfaqësonte një familje me traditë në hendboll duke e bërë këtë sport pjesë të identitetit të saj familjar.
Me rastin e ndarjes nga jeta të Kaqusha Jasharit, presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, në emër të të gjithë komunitetit të hendbollit në vend, i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari dhe familjes Fejzullahu.
Vdekja e saj është një humbje e madhe për sportin dhe historinë politike të Kosovës. /Kosova.info/
