Barazim pa gola në ndeshjen Gjilani – Malisheva

Gjilani dhe Malisheva kanë barazuar pa gola në ndeshjen e zhvilluar të martën, në kuadër të xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Ndeshja, e cila u zhvillua në stadiumin e qytetit në Gjilan, ka pasur momente me potencial goli, por jo edhe konkretizim rastesh. 

Mysafirët nga minuta e 25-të kanë qenë në fushë me një futbollist më pak pasi sulmuesi Fatjon Bunjaku është larguar me karton të kuq. 

Në minutat e fundit ndeshja është ndërprerë, pasi Oltion Bilalli i Gjilanit është lëndua rëndë në një përplasjeje me portierin e Malishevës. Lojtari e ka marrë ndihmën e parë në fushë për disa minuta dhe më pas është larguar me autoambulancë për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Për shkak të këtij incidenti, ndeshja është ndërprerë, ndërsa edhe kur ka rifilluar më pas, rezultati nuk është ndryshuar.

Me këtë barazim, Malisheva mbetet në pozitën e tretë në tabelë me 49 pikë, ndërsa Gjilani qëndron në vendin e pestë me 46 pikë.


Go to TOP