Frigoriferë të paligjshëm hiqen nga rrugët e Prishtinës – Rama: Hapësirat publike janë për qytetarët
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Inspektorati i Kryeqytetit ka ndërmarrë një aksion për largimin e disa frigoriferëve të vendosur në mënyrë të paligjshme jashtë kioskave në rrugët e qytetit. Sipas Ramës, këto pajisje nuk përmbushnin standardet higjienë-sanitare të përcaktuara me ligj dhe pengonin qarkullimin e këmbësorëve.
Ky aksion është pjesë e angazhimit të Komunës për të garantuar hapësira publike të lira, të sigurta dhe me standarde për të gjithë qytetarët. “Qytetari është prioritet i yni!”, ka theksuar Rama duke nënvizuar vendosmërinë për të mbrojtur interesin publik dhe për të krijuar një ambient më të rregullt urban.
Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se veprime të ngjashme do të vazhdojnë ndaj të gjitha bizneseve që shkelin ligjin dhe uzurpojnë hapësirat publike. /Kosova.info/
