Kuçi: Zbulimi i ushqimeve të skaduara në veri, dëshmi se shteti funksionon
Qytetarët serbë meritojnë dorën e ligjit, jo sundimin e grupeve terroriste
Hulumtuesi i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, Gurakuç Kuçi ka reaguar pas zbulimit të disa produkteve ushqimore të skaduara në disa dyqane në veri të Kosovës duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë se kontrollet janë të domosdoshme dhe duhet të vazhdojnë me intensitet të shtuar.
Sipas Kuçit, askush – qofshin shqiptarë, serbë apo pjesëtarë të komuniteteve të tjera – nuk duhet të rrezikojë shëndetin për shkak të neglizhencës apo abuzimeve nga tregtarë të papërgjegjshëm. Ai thekson se shëndeti publik është një vlerë themelore dhe mbrojtja e tij është një obligim kushtetues i shtetit të Kosovës.
“Ky veprim i inspektoratit është një shembull i funksionimit të shtetit ligjor në praktikë,” tha Kuçi duke e cilësuar ndërhyrjen si të domosdoshme për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve.
Ai thekson se ky rast duhet të jetë një mesazh i qartë: Kosova kujdeset për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim, dhe nuk do të tolerojë asnjë formë rrezikimi të jetës për përfitime të paligjshme.
“Qytetarët serbë në veri meritojnë dorën e shtetit ligjor dhe mbrojtjen institucionale, e jo sundimin e grupeve kriminale e terroriste,” përfundon Kuçi. /Kosova.info/
