Rama: Zgjidhet një nga problemet më të mëdha në Rrugën B, hapet kanalizimi i ri
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për përfundimin me sukses të një prej ndërhyrjeve më të rëndësishme infrastrukturore në Rrugën B. Përmes një njoftimi publik, Rama bëri të ditur se është hapur kanali i ri i kanalizimit, duke zgjidhur një problem të kahershëm për banorët e kësaj zone.
“Sot kemi zgjidhur një nga problemet më të mëdha në Rrugën B. E kemi hapur kanalin e ri të kanalizimit, duke i dhënë fund një problemi të vjetër për banorët. Ky intervenim jo vetëm që përmirëson rrjetin infrastrukturor, por edhe cilësinë e jetës për qytetarët që jetojnë dhe qarkullojnë çdo ditë aty,” deklaroi Rama.
Ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës urbane në Prishtinë dhe një shembull konkret i angazhimit të komunës për zgjidhjen e problemeve të përditshme të qytetarëve. /Kosova.info/
