Kelmendi: LDK nuk i ka borxh Kurtit – topi është në fushën e tij

Gazetari dhe analisti Adriatik Kelmendi ka reaguar ndaj debatit për bashkëpunimin eventual ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes duke theksuar se LDK-ja nuk i ka asnjë borxh politik Albin Kurtit.

Sipas tij, LDK ishte ajo që e bëri Kurtin për herë të parë kryeministër dhe po ashtu i siguroi votat për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente duke ndihmuar në stabilitetin institucional të vendit. Megjithatë, ai kujton se Kurti, pas vetëm disa ditësh në qeveri, shkarkoi një ministër të LDK-së pa asnjë konsultim, ndërkohë që ministrat e Vetëvendosjes janë toleruar pavarësisht përfshirjes në skandale dhe akuza për korrupsion.

“LDK ia kishte mundësuar Kurtit vazhdimin e qeverisjes duke siguruar kuorumin për Osmanin Presidente. Çka u arrit? Sipas LDK-së, dhe jo vetëm, Kurti dështoi,” shkruan Kelmendi.

Ai vlerëson se qëndrimi aktual i LDK-së është parimor dhe konsistent duke refuzuar ftesat për bashkëpunim pas zgjedhjeve, përfshirë edhe takimet e fundit. Sipas Kelmendit, ndryshon situata me PDK-në, e cila ka treguar gatishmëri për dialog dhe marrëveshje, pa refuzim kategorik.

“PDK-ja bëri mirë që tha ‘po’. Edhe në këtë qëndrim të PDK-së ka konsistencë. Kanë thënë s’votojmë me imponim dhe s’votojmë pa marrëveshje,” theksoi ai duke shtuar se Kurti duhet të pranojë realitetin se nuk mund të qeverisë i vetëm.

“Topi është te Kurti,” përfundon Kelmendi duke nënvizuar se dialogu dhe marrëveshjet janë rruga e vetme për tejkalimin e bllokadave politike. /Kosova.info/


Go to TOP