Ftesë për unitet apo kalkulim politik? Kurti përjashton Haradinajn, opozita e vërtetë e anashkaluar

Analisti politik Sali Rexhaj ka reaguar ndaj ftesës së fundit të Kryeministrit Albin Kurti, e cila iu drejtua vetëm kryetarëve Memli Krasniqi (PDK) dhe Lumir Abdixhiku (LDK) duke përjashtuar kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas Rexhajt, kjo ftesë nuk është një përpjekje e sinqertë për unitet, por një lëvizje me prapavijë të qartë politike për të përçarë ish-opozitën që kishte arritur të sfidonte me sukses pushtetin e mëparshëm të Kurtit.

“Kurti nuk e sheh rrezikun as te Memli, as te Lumiri. Rreziku real për të vjen nga Ramush Haradinaj dhe Bedri Hamza,” vlerëson Rexhaj duke shtuar se ftesa selektive është një kalkulim politik për të shmangur opozitarët më të fortë dhe për ta dobësuar aksionin e përbashkët kundër qeverisë aktuale.

Rexhaj thekson se Memli Krasniqi nuk ka qenë as kandidat për kryeministër, ndërsa Lumir Abdixhiku ka humbur zgjedhjet duke ngritur pikëpyetje mbi rolin dhe legjitimitetin e tyre në një proces të tillë politik. Ai gjithashtu kritikon qëndrimin e Kurtit në raport me Kuvendin duke theksuar se kryeministri nuk i ka numrat për të siguruar shumicën, dhe se Albulena Haxhiu nuk mund ta zëvendësojë legjitimitetin e munguar.

“Zgjidhja është e qartë: ose propozon një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit që gëzon mbështetje reale, ose vendi shkon në zgjedhje,” thekson ai.

Duke u bazuar në sondazhet më të fundit, Rexhaj paralajmëron se në rast zgjedhjesh të reja, Lëvizja Vetëvendosje pritet të humbasë deri në 10-15 deputetë. Ai u bën thirrje partive shtetformuese të mos i japin më asnjë shans Qeverisë Kurti për të zgjatur qëndrimin në pushtet.

“Është koha që të ndërpritet njëherë e përgjithmonë një qeverisje që ka degraduar në abuzim me pushtetin dhe shkelje të rendit kushtetues. Demokracia, ligji dhe shteti kanë nevojë për një fillim të ri,” përfundon Rexhaj. /Kosova.info/

Go to TOP