Kryeqyteti prezanton projektin e “Parkut Botanik” në Kolovicë – Zgjidhje natyrore për përmbytjet dhe rigjenerim urban

Kryeqyteti do të organizojë nesër, më 30 prill 2025, në orën 16:00 në Sallën e Kuvendit Komunal, një ngjarje të veçantë për prezantimin e projektit të ri urban dhe ekologjik – “Parku Botanik” në lagjen Kolovicë.

Ky projekt ambicioz ka për qëllim menaxhimin e rrezikut të përmbytjeve në këtë zonë si dhe rigjenerimin e një hapësire të degraduar ndër vite në një Park Natyral Botanik, që do të shërbejë si mushkëri e gjelbër për qytetin dhe si model i zhvillimit të qëndrueshëm urban.

Projekti është dizajnuar nga studios prestigjioze ndërkombëtare, Cityförster dhe BloomLandscape, ndërsa financohet përmes një donacioni nga Qeveria e Holandës duke reflektuar bashkëpunimin ndërkombëtar në adresimin e sfidave klimatike dhe urbane.

Agjenda e ngjarjes përfshin:

Fjala hyrëse nga Kryetari Përparim Rama

Analizë e lokacionit dhe nevojave nga Martin Sobota (Cityförster)

Prezantimi i projektit ideor nga Philomene van der Vliet (BloomLandscape)

Sesion pyetje-përgjigje me të pranishmit

Kryeqyteti fton të gjithë qytetarët, profesionistët dhe të interesuarit që të ndjekin këtë ngjarje të rëndësishme për të ardhmen e gjelbër të Prishtinës.

“Parku Botanik” nuk do të jetë vetëm një zgjidhje funksionale për përmbytjet, por edhe një hapësirë edukative dhe ekologjike, ku do të ruhen dhe promovohen specie të ndryshme të florës vendore dhe ndërkombëtare. Ai do të shërbejë si laborator i hapur për nxënës, studentë dhe studiues të mjedisit, si dhe si një vend i qetë për relaksim, rekreacion dhe ndërveprim të komunitetit me natyrën. Përmes këtij projekti, Prishtina synon të vendosë standarde të reja për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshirës urban. /Kosova.info/


Go to TOP