Prezantohet raporti fillestar për Digën e Pollatës
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se është prezantuar raporti fillestar i projektit të dizajnit të detajuar për ndërtimin e Digës së Pollatës – një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Kompania projektuese paraqiti sot dokumentin fillestar, i cili përfaqëson një hap të madh drejt realizimit të këtij investimi strategjik me vlerë prej rreth 58 milionë euro.
Sipas ministrit Aliu, kjo digë pritet të ofrojë një zgjidhje jetike për mungesën e ujit, një problem që është thelluar vitet e fundit për shkak të thatësirave të shpeshta të ndikuara nga ndryshimet klimatike globale.
“Kjo është një prej pesë digave të reja që do të ndërtohen në këtë dekadë, pas më shumë se 50 vitesh pa ndërtuar asnjë të tillë. Ato do të garantojnë furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me ujë për qytetarët, për një periudhë afatgjatë,” theksoi Aliu. /Kosova.info/
