Alexander-Arnold mbetet në Liverpool?

Klubi anglez Liverpool dje pas fitores ndaj Tottenhamit (5-1), edhe matematikisht siguroi titullin e kampionit në Premier League.

Gjatë festës në “Anfield”, kamerat kapën një moment mes mbrojtësit Trent Alexander-Arnold dhe pronarit të klubit, John W. Henry, duke biseduar në fushë, një skenë që ka ndezur spekulimet se ylli i krahut do të vazhdojë të qëndrojë tek Liverpooli.

Pavarësisht spekulimeve të mëparshme që e lidhnin Alexander-Arnold me një kalim të mundshëm te Real Madridi pas përfundimit të kontratës, në ‘Anfield’ mbizotëron optimizmi për të ardhmen e tij.

Suksesi aktual i skuadrës dhe rinovimet e fundit të lojtarëve kryesorë si Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk pritet të ndikojnë pozitivisht në vendimin e mbrojtësit.

“Meqenëse Mo (Salah) dhe Virgil (Van Dijk) po qëndrojnë, dhe shpresojmë që edhe Trent, mund të vazhdojmë të ndërtojmë,” deklaroi Cody Gakpo gjatë festës së titullit të kampionit në Angli, i 20-ti për ‘The Reds’.


Go to TOP