Peci i quan të pavërteta pretendimet se ka kërcënuar me largim nga LVV-ja nëse Limaj zgjidhet kryeparlamentar

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, i ka quajtur të pavërteta dyshimet se ai mund të largohet nga ky grup parlamentar në rast se Fatmir Limaj do të kandidohet për kryetar Kuvendi nga kjo parti.

Në adresimin për media pas dështimit të seancës për konstituivin e Kuvendit, Peci u pyet nga gazetarët se “pse ka kërcënuar se do të largohet nga VV-ja në rast se kandidohet Limaj për kryeparlamentar.

Ai ka thënë se kjo pyetje është sugjestive që tenton vetëm të nxjerrë titull.

“Krejt e pavërtetë. Për herë të parë po e dëgjoj nga ti. Ndërsa unë jam në krejt pjesën e konsultimeve dhe diskutimeve të brendshme. Emër i pranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje vazhdon të jetë Albulena Haxhiu, por pyetja juaj sugjestive që po tenton ta nxjerrësh një titull, është totalisht e pavërtetë”, ka thënë ai.

Ai tha se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe se duhet respektuar vullneti i popullit.

“Populli i ka dhënë të drejtën Lëvizjes Vetëvendosje që ta ketë kryetarin e Kuvendit. Është e papranueshme që partitë opozitare të thonë se këtë të drejtë që iu ka dhënë qytetari dhe interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, na lejoni neve që ne të kemi të drejtën të zgjedhim se kush duhet të jetë kryetari i Kuvendit,” tha Peci.

Ai gjithashtu theksoi mbështetjen nga 9 deputetë të komuniteteve joshumicë, të cilët po i japin përkrahje këtij vullneti qytetar të shprehur më 9 shkurt.

Go to TOP