LBK dhe Ambasada e Shqipërisë vizitojnë “Devolli Group” – Mirënjohje për kontributin në ekonominë vendore
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), z. Besart Dreshaj, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, realizuan një vizitë zyrtare në Korporatën “Devolli Group”, një ndër kompanitë më të suksesshme prodhuese në Kosovë dhe anëtare e LBK-së.
Delegacioni u prit nga z. Blerim Devolli, pronar i korporatës, me të cilin u diskutua për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik, forcimin e kapaciteteve prodhuese, zgjerimin e eksporteve dhe sfidat aktuale të klimës së biznesit në vend.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e mbështetjes së ndërmarrjeve vendore dhe roli kyç që luajnë kompanitë si “Devolli Group” në zhvillimin industrial të Kosovës dhe promovimin e produkteve “Made in Kosovo” në tregjet ndërkombëtare.
Në shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm në fuqizimin e ekonomisë vendore, Lidhja e Bizneseve të Kosovës i ndau Korporatës “Devolli Group” një Mirënjohje të veçantë.
Përmes vizionit strategjik, inovacionit të qëndrueshëm dhe përkushtimit ndaj standardeve më të larta, “Devolli Group” është shndërruar në një model suksesi duke ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie moderne, të qëndrueshme dhe konkurruese.
Me cilësinë e lartë të produkteve të saj, kjo korporatë ka afirmuar me dinjitet Republikën e Kosovës në tregjet evropiane dhe globale duke forcuar identitetin ekonomik kombëtar.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh mirënjohjen dhe mbështetjen e saj të plotë për “Devolli Group” në rrugëtimin e tyre të suksesshëm duke theksuar se Kosova ka nevojë për shembuj të tillë për ta fuqizuar rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë ekonomike. /Kosova.info/
