Prishtina mirëpret garat botërore të pingpongut, pjesëmarrje nga 26 shtete

Federata e Pingpongut e Kosovës (FPPK) ka njoftuar rikthimin e garave botërore për të rinj dhe të rritur, duke vazhduar me sukses traditën e organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare të nivelit të lartë në Prishtinë.

Këtë vit, dy ngjarje madhore do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë: WTT Youth Contender Prishtina 2025, nga 29 maj deri më 1 qershor dhe WTT Feeder Prishtina 2025, nga 3 deri më 7 qershor.

FPPK ka nisur pranimin e aplikimeve për këto gara dhe interesimi ndërkombëtar ka qenë i jashtëzakonshëm që në ditët e para, me mbi 200 pjesëmarrës të regjistruar nga 26 vende të botës. Interesimi përfshin edhe shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke dëshmuar fuqinë e sportit si urë bashkëpunimi dhe diplomacie ndërkombëtare.

Këto ngjarje pritet të sjellin në Prishtinë sportistë të rinj e të talentuar që do të luftojnë për pikë të rëndësishme në renditjet botërore dhe për tituj të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të pingpongut. Ndeshjet do të transmetohen live në katër kanale me audiencë ndërkombëtare, duke e shndërruar kryeqytetin në një epiqendër sportive të vërtetë.

FPPK ka siguruar një ambient mikpritës dhe profesional për të gjithë pjesëmarrësit, bashkëpunëtorët dhe adhuruesit e pingpongut, duke garantuar një përvojë të paharrueshme për të gjithë ata që do të jenë pjesë e këtyre ngjarjeve.

Për të parë atmosferën e vitit të kaluar, klikoni këtu. Për më shumë informacione mbi konceptin e eventeve, shikoni fotot e bashkëngjitura. /Kosova.info/


Go to TOP