Nimoni: Reforma në drejtësi, jetike për sistemin prokurorial

Genc Nimoni, këshilltar i ministres në detyrë të Drejtësisë, ka folur për reformat në drejtësi, me theks të veçantë te vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin kjo gjykatë ka dhënë dritën jeshile, duke vendosur se ndryshimet në këtë ligj nuk bien ndesh me Kushtetutën.

Nimoni tha se për këtë ligj është punuar që nga viti 2021, pa ndërprerje, me qëllim të jetësimit të kësaj reforme. Ai theksoi se gjatë këtij rrugëtimi janë hasur shumë sfida, vonesa dhe sabotime të ndryshme. Megjithatë, sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka luajtur një rol konstruktiv, si në nivel vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

“Ka qenë insistimi dhe vullneti ynë që kjo reformë të jetësohet, sepse është jetike për sistemin prokurorial, në veçanti,” tha Nimoni në emisionin InfoPlus në RTK.

Ai shtoi se të gjitha komentet e ofruara nga organizatat joqeveritare në lidhje me Ligjin për KPK-në janë marrë parasysh, duke përmendur edhe opinionet e Komisionit të Venecias.

“Si Ministri e Drejtësisë, kemi qenë në konsultime me Komisionin e Venecias, si gjatë vizitave të raportuesve të këtij komisioni në Kosovë, ashtu edhe gjatë vizitave tona atje, si dhe në takime të veçanta me përfaqësues të shoqërisë civile,” tha mes tjerash Nimoni.

Go to TOP