Bajrami: Kurti nuk është më Kryeministër, po shkel Kushtetutën – LDK do të bëjë kallëzim penal

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Albin Kurti nuk është më kryeministër i Republikës së Kosovës duke theksuar se me përfundimin e mandatit të Qeverisë ai tani është vetëm një nga 120 deputetët e Kuvendit.

Në një reagim të ashpër publik, Bajrami theksoi se Kurti dhe disa nga ish-ministrat po vazhdojnë të ushtrojnë detyrat si anëtarë të ekzekutivit në kundërshtim me Kushtetutën, konkretisht me nenin 72, i cili ndalon deputetin të mbajë post ekzekutiv.

“Edhe nëse dikush përpiqet t’i amnistojë duke thënë se ‘Ligji për Qeverinë s’është i hartuar mirë’, ne e kemi Kushtetutën, e cila është e qartë. Kjo nuk është çështje teknike – kjo është shkelje e rendit kushtetues dhe abuzim me pushtetin,” ka thënë Bajrami.

Ajo i ka bërë thirrje Kurtit të kërkojë votëbesim të ri në Kuvend ose të ushtrojë detyrën si deputet duke shtuar se çdo veprim tjetër është një vazhdim i rrënimit të rendit kushtetues të vendit.

Në fund, Bajrami paralajmëroi se LDK shumë shpejt do të bëjë kallëzim penal për këtë çështje duke kërkuar që Prokuroria të nisë menjëherë hetimet për, siç tha ajo, shkeljen flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. /Kosova.info/

Go to TOP