VV-Qendra Prishtinë bojkoton seancën për PZHK: Jo planit të kontrabanduar, jo shkeljeve ligjore!
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prishtinë ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për nesër nga kryetari i Komunës, Përparim Rama, që ka për qëllim shqyrtimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK).
Në reagimin e tyre, VV ka theksuar se ky është një tentim për të “kontrabanduar” një dokument strategjik për zhvillimin urban të kryeqytetit, i cili sipas tyre, është i mbushur me shkelje ligjore e procedurale të konstatuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
VV tregon se drafti aktual i PZHK-së ka marrë 28 komente negative nga MMPHI dhe përfshin propozime që mund të dëmtojnë rëndë qytetin, përfshirë zgjerimin e pakontrolluar të zonave ndërtimore, rrugë që kalojnë përmes tokave bujqësore cilësore dhe rrezikimin e zonave të mbrojtura ujore.
“Refuzojmë të bëhemi pjesë e një procesi joligjor, joprofesional dhe të dëmshëm për Prishtinën,” thuhet në deklaratë.
Për këtë arsye, VV ka ftuar edhe subjektet e tjera politike në Kuvendin Komunal që ta bojkotojnë këtë seancë duke mos i dhënë legjitimitet një plani që sipas tyre përfaqëson më shumë interesat private dhe partiake, sesa ato publike.
Ata kanë theksuar se Prishtina meriton një PZHK të ligjshëm dhe vizionar, jo një plan “mbi tavolina të errëta”, nga një kryetar që është në muajt e fundit të mandatit të tij. /Kosova.info/
