Korridori i Gjelbër Prishtinë-Obiliq: Rama dhe Gashi nisin mbjelljen e drunjve në Ditën e Tokës
Në shënim të Ditës së Tokës, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe ai i Obiliqit, Xhafer Gashi, kanë nisur fazën e parë të projektit për krijimin e një korridori të gjelbër ndërmjet dy komunave.
Mbjellja e drunjve përgjatë rrugës që lidh Prishtinën me Obiliqin shënon hapin e parë të këtij projekti ambicioz, që synon të përmirësojë cilësinë e ajrit, të rrisë hapësirat e gjelbra dhe të promovojë një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët.
“Kjo është vetëm faza e parë. Do të vazhdojmë me përkushtim deri në realizimin e plotë të këtij korridori të gjelbër”, u shpreh Rama duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkomunal në përballjen me sfidat mjedisore.
Kryetari Gashi gjithashtu vlerësoi projektin si një hap konkret drejt ndërlidhjes së komunave përmes natyrës dhe kujdesit ndaj mjedisit.
Ky aksion përkon me përkushtimin institucional ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe përkujdesjes ndaj tokës duke e bërë këtë Ditë të Tokës më domethënëse për qytetarët e Prishtinës dhe Obiliqit. /Kosova.info/
