Kurti viziton fabrikën gjermano-kosovare MUNDA: Investim 7 milionë euro dhe partneritet i fuqishëm ekonomik me Gjermaninë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari vizitoi sot fabrikën e prodhimit MUNDA Kosova, një kompani e re e prodhimit të sistemeve të ndriçimit të tekstit për industrinë automobilistike, e që është investim gjermano-kosovar. Ajo është pjesë e zinxhirit furnizues për brendet si AUDI, dhe operon me standarde dhe profesionalizëm të lartë.

“Është kënaqësi dhe nder i veçantë të jem sot këtu me juve e para jush, në një hapësirë e cila e mishëron më së miri partneritetin mes Kosovës dhe Gjermanisë, dhe që dëshmon një vizion tonë të përbashkët për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim afatgjatë”, u shpreh kryeministri Kurti në fillim të vizitës, teksa shtoi se MUNDA, si një ndërmarrje e përbashkët ndërmjet dy kompanive prestigjioze gjermane, AUNDE dhe MENTOR, përfaqëson më shumë se sa një investim, pra një shenjë besimi dhe një dëshmi konkrete se Kosova është një vend që ofron mundësi reale për investime strategjike. 

Ky investim ka vlerë afër 7 milionë euro. Ndërmarrja punëson 65 persona, ndërkaq që deri në vitin 2026 planifikohet të punësojë gjithsej 210 persona. Aktualisht, 60% të punëtorëve janë gra. 

Gjatë kësaj vizite, kryeministri veçoi reformën në arsimin profesional, përkatësisht arsimin dual, si një ndër shtyllat strategjike të qeverisë, përmes si cilit mbi 1600 nxënës ndjekin program trevjeçar në 12 drejtime të ndryshme profesionale, duke e cilësuar atë si hap konkret drejt krijimit të një fuqie punëtore të kualifikuar dhe të ndërlidhjes së të ngushtë mes shkollës dhe tregut të punës. Në këtë kontekst, ai tha vendimin e MUNDA-ës për të investuar në Kosovë e konsiderojmë si konfirmim të fuqishëm të progresit tonë. 

Ai theksoi se veçanërisht na bën krenar që ky investim është iniciuar dhe udhëhequr nga një pjesëtar i diasporës sonë: “Diaspora është një prej aseteve më të çmuara të shtetit dhe kombit tonë, dhe kur ajo kthehet me dije, kapital e përvojë ndërkombëtare, Kosova fiton shumëfish”.

Më tej, shtoi se e ardhmja e Kosovës ndërtohet mbi partneritete sikurse ky: me kompani me përvojë globale, me teknologji të avancuar dhe me njerëz që besojnë në potencialin kolektiv të vendit tonë.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju falënderoj për besimin, investimin dhe vlerat që i sillni me vete. Ne do të jemi gjithmonë në krah të çdo iniciative që fuqizon ekonominë, i rrit mundësitë dhe forcon miqësinë mes Kosovës dhe Gjermanisë. Ju uroj shumë suksese në të ardhmen dhe ju falënderoj për mikpritjen tuaj të ngrohtë”, u shpreh në fund. /Kosova.info/

Go to TOP