Zyrtar i gjendjes civile në Gjilan dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndalohet për 48 orë
Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me një rast të dyshuar të “keqpërdorimit të pozitës zyrtare” në një zyrë të gjendjes civile.
Hetimet kanë zbuluar dyshime të bazuara për shkelje të procedurave ligjore gjatë regjistrimit të të dhënave personale në sistemin civil. Si rezultat, një person është intervistuar në praninë e avokatit të tij dhe është ndaluar me vendim të prokurorit kompetent për 48 orë.
Ndërkohë, një tjetër person i përfshirë në këtë rast është liruar në procedurë të rregullt. Veprimet hetimore janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore dhe hetimet janë ende në vazhdim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore të nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe përgjegjësinë penale të personave të përfshirë. /Kosova.info/
