Dias: Pasioni dhe dëshira do të vendosin për top katërshe këtë sezon
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Ruben Dias, ka deklaruar se gara për një vend në top katërshe të Premier League do të vendoset nga skuadra që e dëshiron më shumë.
City përballet sonte me Aston Villan, duke qenë aktualisht në vendin e katërt pas fitores ndaj Evertonit të shtunën.
“Do të jetë e ngushtë dhe në fund të fundit do të vendosë kush e dëshiron më shumë,” u shpreh Dias.
“E dimë që nuk do të jetë e lehtë, por ne po luftojmë për këtë kualifikim. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për ta arritur. Sigurisht që ndjehemi mirë (pas ndeshjes me Evertonin). Ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe e dinim që do të ishte e tillë”.
“Pak skuadra kanë mundur të fitojnë atje dhe, sidomos në këtë moment, çdo pikë ka rëndësi jetike për ne”, theksoi ai.
City synon të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm dhe çdo ndeshje mbetet vendimtare në këtë fazë të kampionatit.
