Rama i jep lamtumirën akademikut Salih Gashi: Një jetë në shërbim të Prishtinës dhe dijes
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ngushëllime të thella pas lajmit për ndarjen nga jeta të akademikut Salih Gashi – kryetarit të parë të Prishtinës pas luftës, nga radhët e LDK-së dhe profesor i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore në Universitetin e Prishtinës.
Rama e përkujtoi Gashin si një kontribuues të palodhshëm në rindërtimin e kryeqytetit në një periudhë të ndërlikuar për Kosovën duke e përshkruar si njeri me “përkushtim, urtësi dhe integritet” që la gjurmë të thella në shërbimin publik dhe në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Salih Gashi. Ai ishte ndër figurat kyçe në konsolidimin institucional të Prishtinës në ditët e para pas çlirimit,” ka shkruar Rama duke i shprehur ngushëllime familjes Gashi, miqve, bashkëpunëtorëve, komunitetit akademik dhe të gjithë qytetarëve të kryeqytetit.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të,” përmbyll Rama duke nderuar figurën e një njeriu që jetën ia kushtoi dijes dhe shërbimit publik. /Kosova.info/
