Berisha i PLE-së: Jam i gatshëm të votojë për të mirën e Kosovës
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit ka arritur të fitojë ulëse në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se në këto kohë, sipas tij, të ndjeshme për Kosovën dhe qytetarët e saj, më shumë se kurrë lind nevoja për qartësi, maturi dhe përgjegjësi politike.
“Unë, si kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, kam qenë i qartë në deklarimet e mia: Jam i gatshëm ta votoj për të mirën e Kosovës, komunitetit tim egjiptian dhe të gjithë qytetarët pa dallim! Mbështetja ime nuk është nënshtrim, nuk është heshtje përballë mangësive”, ka shkruar tutje ai.
Berisha që është certifikuar nga KQZ-ja si ligjvënës i legjislaturës së nëntë të Kuvendit thotë se kanë nevojë për një klimë bashkëpunimi, jo për një kulturë përçarjeje.
“Prandaj sot pyes publikisht: A është më me rëndësi të qëndrojmë të ngujuar në luftë politike, apo të veprojmë me mendje shtetformuese, duke mbështetur çdo hap që e çon Kosovën drejt një të ardhmeje më të mirë? Sepse në fund të fundit, nuk jemi zgjedhur për të fituar debate, por për të sjellë zgjidhje”, ka shkruar tutje ai.
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet nesër nga ora 12:00 në atë që do të jetë tentativa e tretë drejt konstituivit të institucionit më të lartë ligjvënës. /Kosova.info/
