Trajneri i tenisit mbledh fonde për të ndërtuar një fushë tenisi në Kosovë
Një trajner tenisi tha se ishte “i kënaqur” që hapi zyrtarisht një fushë tenisi të përshtatshme për çdo mot në Kosovë, pas gati një dekade duke mbledhur fonde për të.
David Bryceland, nga Altrincham, Manchester, ishte vullnetar në një kamp veror në Podujevë, në vitin 2016 dhe u trondit nga mungesa e aktiviteteve sportive, raporton BBC.
Që prej asaj kohe, ai tha se ka mbledhur mbi 20,000 £ (pound anglez) përmes disa sfidave, përfshirë një maratonë tenisi 24-orëshe, për organizatën Manchester Aid to Kosovo (MAK), për të ndihmuar në financimin e asaj që Federata e Tenisit e Kosovës e përshkroi si fusha e parë e tenisit në rajon, në Parkun e Paqes në Podujevë.
35-vjeçari tha se kjo ka qenë një “punë me shumë dashuri” dhe ndjeu nderin të bëjë shërbimin e parë në këtë “fushë për njerëzit”.
MAK (Manchester Aid to Kosovo) tha se hapja e fushës së tenisit ishte një “moment historik”.
Ata thanë se kjo fushë do të sjellë gëzim në Podujevë si dhe do të përmirësojë shëndetin dhe nivelin e aktivitetit fizik të banorëve.
Organizata bamirëse vlerësoi përpjekjet “kolosale për mbledhje fondesh” të z. Bryceland, duke e quajtur atë “katalizatorin” e një programi gjithëpërfshirës për tenis falas në atë zonë.
MAK e përshkroi atë si një “kampion” në çdo kuptim të fjalës. Trajneri në Tennis Club dhe Bowdon Bowling & Lawn Tennis Club tha se ishte frymëzuar të bëhej vullnetar në një kamp veror të organizuar nga MAK, pasi kishte takuar Saranda Bogujevci gjatë kohës që ajo jetonte në Manchester.
Bogujevci, e cila ishte qëlluar 16 herë dhe kishte humbur gjashtë anëtarë të familjes në masakrën e familjes Bogujevci, është tani deputete në Kosovë.
“Kur arrita atje, nuk mund ta besoja çfarë po shihja. Nuk kishte asnjë lloj infrastrukture për kohën e lirë, dhe ndërtesat ishin të mbushura me vrima plumbash.”
Ai shtoi se ishte e pabesueshme, një përvojë vërtet përulëse. “Në kampin veror kishte shumë pak sport, kështu që vendosa të prezantoja tenisin”, tha ai.
Që atëherë, ai është kthyer çdo vit bashkë me një grup vullnetarësh nga zona e Altrincham-it, dhe kanë mësuar fëmijët të luajnë tenis në hapësira të improvizuara, si parkingje, duke përdorur litarë si rrjeta dhe kone për të shënuar fushën.
Alice Carroll, e cila është gjithashtu mike e znj. Bogujevci, ka ndihmuar z. Bryceland në përpjekjet për mbledhje fondesh, duke u marrë me të gjithë dokumentacionin dhe procedurat burokratike për të marrë miratimin e ndërtimit të fushës.
Ajo tha se tani po punojnë me Federatën e Tenisit të Kosovës për të ndërtuar më shumë fusha, një shtëpi-klubi dhe për të trajnuar një trajner të përhershëm.
“Do të donim gjithashtu të krijonim një program binjakëzimi me klubet e tenisit në dhe rreth Altrincham-it,” shtoi ajo.
“Kjo është vetëm fillimi, dhe shpresojmë që një ditë Wimbledon-i të mirëpresë lojtarin e parë nga Kosova.”, tha ajo.
MAK shtoi: “Duke filluar nga një fushë e shkretë balte dhe ëndrra e fëmijëve të zhvendosur nga konflikti, Parku i Paqes ka evoluar nga situatat më të tmerrshme në një oaz gëzimi”.
Jeton Hadërgjonaj, president i Federatës së Tenisit të Kosovës tha: “Kjo fushë do të jetë shtysë dhe frymëzim për shumë fëmijë dhe të rinj që të luajnë… tenis, të argëtohen dhe të arrijnë rezultatet më të mira në të”.
Ai shtoi se z. Bryceland, zonja Carroll dhe pjesa tjetër e ekipit të përfshirë në ndihmën e Podujevës për të marrë fushën e saj të parë të tenisit “do të mbeten miqtë tanë përgjithmonë dhe do të jenë pjesë e historisë së tenisit në Kosovë”.
