Kujtohet 26 vjetori i masakrës së Studenicës ndaj familjes Lipaj e Zeqiraj
Sot është kujtuar edhe 26 vjetori i masakrës së Studenicës. Forcat serbe, jo vetëm që i kishin masakruar 10 anëtarët e familjeve Lipaj dhe Zeqiraj, por edhe i kishin hedhur në pusin e oborrit të cilin në fund edhe e kishin minuar për t`i humbur gjurmët.
Vetëm pak orë para se të masakroheshin 10 anëtarët e familjeve Lipaj dhe Zeqiraj, që të gjithë pleq dhe fëmijë, Blerim Lipaj qe i fundit që ishte ndarë me ta në shtëpinë e Haxhi Salihut nga Studenica e Istogut.
26 vjet pas kësaj masakre të forcave serbe, ku pasi i kishin ekzekutuar, i hodhën në pusin e oborrit të cilin në fund edhe e minuan për t’i humbur gjurmët e këtij krimi çnjerëzor, Blerimi thotë se krahas dhimbjes së papërshkruar, ndjehet krenarë që në themelet e lirisë së Kosovës është përjetësuar edhe gjaku i familjes Lipaj.
“E kujtoj 13 prillin me emocion të papërshkruar, edhe të dhimbjes por edhe të krenarisë së madhe sepse kishte edhe frikë në atë kohë mirëpo pastaj e kuptuam se liria s’vjen pa sakrificë, liria s’vjen pa gjak. Kështu që edhe familja jonë u rreshtua krah familjeve tjera që humbëm më të dashurit por që në altarin e lirisë ranë për të mos u harruar kurrë edhe bijtë dhe bijat tona”, tha ai.
Kujtimin e të rënëve të 13 prillit e kanë kujtuar edhe shumë qytetarë të Istogut e Kosovës, e po ashtu edhe përfaqësues të institucioneve vendore.
“Data shënon 13 prill ndërsa dhimbja qëndron e njëjtë sikurse në vitin 1999. Tash e 26 vite familja Lipaj Zeqiraj dhe Mehaj përkujton më të dashurit e tyre të cilët ranë për t?u ngritur si dëshmi e krimit serb në tërë Kosovën në zemrat e këtyre familjeve”, tha Ilir Ferati, kryetari i Istogut.
“Kjo masakër ishte e tmerrshme që u krye nga kriminelët serbë. Babai kishte një moshë por ishte i fortë, nënat ishin mirë ndërsa vajzat ishin adoleshente që të gjithë të pafajshëm. Kishin dëshirë për jetën, e donin lirinë që ishte aq afër porsi drita e diellit në shkëlqimin e hënës”, tha Rrahime Lipaj, nëna e dy vajzave.
“Prilli nuk është muaj stine, por emër i përveçëm e historik. Ju jeni rreze drite në mur për lirinë e Kosovës. Martirizimi juaj gjaku juaj solli epokën tonë të re. Ju mbeteni monument i vërtetë i historisëshqiptare”, tha Fadil Lipaj, babai i Lindihanës.
Pranë përmendoreve të Sali Zeqiraj, Nezir Lipaj, Qëndresë Lipaj, Mirdonë Lipaj, Njomzë Lipaj, Lindihanë Lipaj, Sale Lipaj, Hajrije Lipaj, Fatime Lipaj dhe Sabrije Lipaj familjarë e qytetarë të shumtë kanë vendosur buqeta lulesh për të mbajtur prore të freskët kujtimin e tyre.
