Rama dhe FFK lansojnë Ligën e Shkollave për të promovuar sportin në shkolla

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, Drejtorin e Sportit, Kushtrim Mushica, dhe Kryetarin e Shoqatës së Sporteve Shkollore, kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi për themelimin e Ligës së Shkollave në kryeqytet.

Ky projekt i ri synon të nxisë përfshirjen e të rinjve në sport dhe të krijojë një rrjet të qëndrueshëm të garave shkollore në Prishtinë. Rama theksoi rëndësinë e sportit si pjesë e edukimit dhe shprehu përkushtimin e Komunës për të mbështetur aktivitete që kontribuojnë në zhvillimin fizik dhe social të nxënësve.

“Sporti është edukim, dhe përmes kësaj Lige po ndërtojmë një kulturë të re garuese dhe bashkëpunuese në shkollat tona,” deklaroi Rama.

Liga e Shkollave pritet të sjellë gara të rregullta mes shkollave fillore dhe të mesme duke rritur motivimin për pjesëmarrje aktive në aktivitete sportive dhe duke promovuar një mënyrë të shëndetshme jetese për gjeneratat e reja. /Kosova.info/


Go to TOP